Interi ka bërë detyrën në San Siro kundër Kievos së dobët, duke fituar 2-0, në një ndeshje që realisht mund ta fitonte shumë më thellë.
Përballë një rivali të rënë nga kategoria dhe me shumë të rinj në ekip, Interi nuk u sforcua shumë dhe nuk e teproi, edhe pse dominoi totalisht, me 22 tentativa për gol (17-0 goditjet nga këndi), ndërsa Kievo nuk goditi asnjëherë në portën zikaltër.
Përtej dominimit, goli i parë i Interit vonoi dhe në minutën e 39-të zhbllokoi Politano, ndërsa në pjesën e dytë sërish goli vonoi dhe Kievo mbeti me 10 lojtarë në minutën e 76-të (Rigoni karton i kuq), para se Perisiç të mbyllte llogaritë 4 minuta para fundit.
Fitorja qetëson totalisht Interin, që shkon në Napoli duke e ditur se mund ta sigurojë aty kualifikimin në Champions, por në rastin më të keq mbetet ndeshja e fundit, në San Siro, kundër Empolit.