Totenhemi ka harruar të fitojë. E katërta ndeshje pa fitore në kampionat për “gjelat”, të cilët janë mposhtur ditën e sotme ndaj Sauthemptonit në shtëpi. Tashmë, Spërsat rrezikojnë seriozisht edhe pjesëmarrjen në Champions, pasi Arsenali dhe Çelsi janë më pranë se kurrë.
Për t’u kthyer te ndeshja, pjesa e parë ka qenë thuajse e gjitha e dominuar nga ekipi i Poçetinos, ku në minutën e 26-të gjetën edhe golin e avantazhit me anë të Herri Kejn, i cili shfrytëzoi në maksimum pasimin e artë të dhënë nga Dele Ali. Kështu, pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1.
Në fraksionin e dytë, ekipi vendas duket se erdhi më këmbëngulës dhe fitoi terren me kalimin e minutave. Pikërisht, në minutën e 77-të ishte Jan Valeri, i cili ndëshkoi “gjelat” e Londrës, duke vendosur baraspeshën.
Katër minuta më vonë, Totenhemi pësoi një tjetër tronditje, teksa ishte Uord-Prous, i cili shënoi në mënyrë spektakolare nga goditja e dënimit, duke çuar në festë tifozët e tij dhe duke përmbysur gjithçka në 2-1. Kështu, Sauthempton merr një fitore të çmendur në shtëpi ndaj londinezëve.
Ndërkohë, në sfidat e tjera Fulhemi dhe Hadërsfilldi kanë konfirmuar gjithnjë e më shumë që janë jashtë garës për të qëndruar në Premier Ligë, pas humbjeve të marra sot ndaj Bornmuth dhe Leister.
Kardif ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme ndaj Uest Hemit në shtëpi, ndërsa Njukasëll ka bërë një përmbysje të çmendur ndaj Evertonit, ku pasi ndodhej në disavantazh 0-2, përmbysi gjithçka në 3-2.
Kardif – Uest Hem 2-0
Shënues: Hoilet 4’, Kamarasa 52’
Hadërsfilld – Bornmuth 0-2
Shënues: Uillson 20’, Frejser 67’
Leister – Fulhem 3-1
Shënues: Tilemans 21’, Vardi 78’, 86’ / Ajite 51’
Njukasëll – Everton 3-2
Shënues: Rondon 65’, Ajoze Perez 81’, 84’ / Kalvert-Levin 18’, Riçarlison 32’
Sauthempton – Totenhem 1-1
Shënues: Valeri 77’, Uord-Prous 81’ / Kejn 26’