Mbyllet me spektakël sfida midis Napolit dhe Bolonjës, ku vendasit e drejtuar nga Ançeloti triumfuan me zemër në dorë ndaj Bolonjës me shifrat 3-2. Ishte Dris Mertens, i cili shpëtoi në fund ekipin e tij, duke shënuar golin e fitores, teksa miqtë e drejtuar nga Inzagi bënë një ndeshje mjaft të mirë.
Sfida u duk se mori drejtim që në fillimin e saj, ku pas 16 minutash ishte Milik, i cili shënoi për të dërguar në avantazh të tijtë. Gjithsesi, Bolonja befasoi në minutën e 37-të, duke barazuar me anë të Santander, pas një goditje standarde. Pjesa e parë u mbyll në paqe me rezultatin 1-1.
Fraksioni i dytë nisi menjëherë me gol, ku ishte përsëri Milik, i cili shënoi në minutën e 51-të. Të kaltrit nuk arritën të mbyllnin sfidën dhe në minutën e 80-të Danilo shtangu të gjithë të pranishmit në “San Paolo”, duke vënë baraspeshën.
Gjithsesi, ekipi i Ançelotit arriti të merrte triumfin vetëm në fund të sfidës, ku Mertens shënoi një gol mjaft të bukur, dy minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt. Kështu, Napoli rikthehet të jetë nënte pikë larg Juventusit dhe pesë përpara Interit të vendit të tretë.