Mançester Siti turpëron Çelsin me shifrat 6-0. Ekipi i Pep Guardiolës është treguar i pamëshirshëm, teksa ka shpartalluar blutë e Londrës me gjashtë gola, ku Serxho Aguero, spikati me një tripletë, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Mançester Sitit në Premier Ligë.
25 minuta i mjaftuan “Citizens” për të shënuar plot katër herë, ku Sterling fillimisht, dy herë Aguero dhe një gol i Gyndogan, e mbyllën ndeshjen që në gjysmën e pjesës së parë. Gjithsesi, festivali i golave nuk ishte mbyllur, pasi në fraksionin e dytë Siti gjeti rrugën e rrjetës dhe dy herë të tjera.
Aguero në minutën e 56-të plotësoi tripletën, pas një 11-metërshi të shndërruar në gol, ndërsa në minutën e 80-të pati vend dhe për Sterling, i cili shënoi golin e gjashtë të sfidës dhe të dytin personal. Kështu, Siti ngjitet përsëri në vendin e parë me pikë të barabarta me Liverpulin, por me një ndeshje më shumë.