Juventusi ka koleksionuar një tjetër fitore, teksa ka kaluar pa probleme Kievon në shtëpi me shifrat 3-0. Një triumf që e çon diferencën me Napolin ndjekës përsëri në +9 pikë. Golat e takimit u shënuan nga Douglas Kosta, Emre Xhan dhe Rugani.
Mungoi në listën e shënuesve Kristiano Ronaldo, që e kishte fikur motorin sonte, duke luajtur larg nivelit të vet e duke humbur edhe një 11-metërsh në minutën e 52-të, me 39-vjeçarin Sorrentino që priti mjaft bukur. Gjithsesi, ky Juventus nuk ka rivalë, edhe kur luan pa sforcuar fare.
Sfida u zgjidh që në pjesën e parë për ekipin e Alegrit, ku shënuan dy herë me anë të Douglas Kostës dhe Emre Xhan. Në minutën e 13-të, braziliani me një inkursion individual shënoi një gol mjaft të bukur, ndërsa turko-gjermani dyfishoi në fundin e pjesës së parë, pas një pasimi të Paulo Dibalas.
Fraksioni i dytë nisi përsëri me bardhezinjtë në sulm, të cilët fituan të drejtën e një 11-metërshi në minutën e 52-të. Gjithsesi, Kristiano Ronaldo nuk arriti të tregohej i saktë, teksa Stefano Sorrentino u tregua fenomenal, duke ndalur portugezin. Në fundin e takimit pak lavdi edhe për Ruganin, autor i një goli me kokë, i vetëm në zonë pas krosit nga Bernardeski.