Është mbyllur kryendeshja e javës së 24-të në Serie A, ku Milani ka mposhtur Atalantën me shifrat 1-3. Një fitore që e çon Milanin në kuotën e 42 pikëve, një më pak se Interi i vendit të tretë.
Për sa i përket ecurisë së sfidës, pjesa e parë u mbyll në baraspeshë, me shifrat 1-1. Fillimisht, Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit kaloi në avantazh në minutën e 33-të me anë të Froiler.
Gjithsesi, festa e bergamaskëve, nuk zgjati shumë, pasi në fundin e pjesës së parë, ishte i zakonshmi Kristof Piatek, i cili baraspeshoi shifrat. “Pistoleta” iu vodh mjaft mirë Gjimshitit, dhe me një devijim të saktë mposhti Etrit Berishën.
Pjesa e dytë nisi në mënyrë perfekte për Milanin, teksa kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh. Hakan Çalhanoglu ishte autori i golit, i cili shënoi me një silurë, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi Etrit Berishës.
Sidoqoftë, ekipi i Gatuzos nuk u ndal me kaq, pasi gjashtë minuta më vonë, ishte përsëri Piatek, i cili duket në një formë të çmendur këtë sezon. Pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Çalhanoglul, “Pistoleta” gjeti hapësira në zonën bergamaske dhe shënoi golin e sigurisë.
Kështu, Milan merr një triumf mjaft të rëndësishëm në një sfidë direkte për zonën Champions. Tashmë, Atalanta sheh kuqezinjtë t’i largohen me katër pikë.
ATALANTA 1 – 3 MILAN
Shënues: Frojler 33′ / Piatek 45+1′ 61′, Çalhanoglu 55′