Napoli nuk ka falur në transfertën e Friulit, teksa ka mundur pastër 0-3, Udinezen vendase. Të kaltrit përfituan nga hapi fals i Juventus, duke shkurtuar kështu diferencën, në katër pikë tashmë. Fabian Ruiz, Mertens dhe Marko Rog ishin ata që shënuan për ekipin e Ançelotit.
Ndeshja nisi me një dëmtim për Napolin, teksa Simone Verdi, pas vetëm katër minutash u detyrua të linte fushë. Vendin e italianit e mori Fabian Ruiz, i cili u transferua këtë verë nga Betis, për plot 35 milionë euro. Ky i fundit në minutën e 14-të, me një goditje mjaft të bukur kaloi napolitanët në avantazh dhe i dërgoi në pushimin e sfidës të qetë.
Fraksioni i dytë i lojës u administrua mjaft mirë nga nënkampionët e Italisë, teksa shënuan dhe dy herë të tjera me anë të Mertens dhe Rog. Në minutën e 82-të ishte belgu, i cili shndërroi në gol një penallti dhe katër minuta më vonë kroati i sapofutur në lojë, Marko Rog mbylli çdo gjë në 0-3.
Napoli tashmë e sheh veten të konsolidojë pozitat e saj në vetëm katër pikë prapa Juventus, teksa përgatitet për duelin e rëndësishëm që do të ketë në Champions ndaj PSG. Java e ardhshme e Serisë A do të sjellë një sfidë të vështirë për të besuarit e Ançelotit, teksa presin Romën në “San Paolo”.