Lacio është kthyer kokulur nga transferta në Ferrara ndaj SPAL-it. Ekipi vendas mori tri pikët falë një 11-metërshi të akorduar me “VAR” në minutat e fundit të takimit.
Incidenti i penalltisë është krejt i pabesueshëm. Futbollisti polak Cionek bie pas një kontakti me mbrojtësin Lacios, Patris Gabarron. Për arbitrin nuk ka asgjë dhe lojtari i SPAL ngrihet menjëherë dhe i thotë gjyqtarit Marko Guida se mes tij dhe kundërshtarit nuk pati kontakt për të evituar ndëshkimin me të verdhë për simulim.
Për habinë e të gjithëve kryesori i takimit kontaktohet nga dhoma e VAR-it për të kontrolluar rastin në fjalë. Pasi shikon për disa minuta pamjet Guida futet në fushë dhe drejton dorën për nga pika e penalltisë, që më pas realizohet me sukses nga sulmuesi Petanja.