Liverpuli merr një fitore “in-extremis” ndaj Totenhemit me shfirat 2-1, ku duhet thënë se kishte shumë fat në këtë triumf.
Takimi nisi mjaft mirë për “The Reds”, të cilët gjetën golin e avantazhit në minutën e 16-të me anë të Roberto Firminos. Ishte Robertson, i cili krosoi në mënyrë perfekte për brazilianin, i cili nuk gaboi me kokë, duke çuar në avantazh të tijtë.
Që nga ai çast, drejtimin e lojës e mori në dorë Totenhemi, me “Gjelat” që e shtuan presionin në pjesën e dytë më shumë. Pikërisht në minutën e 70-të, Lukas Moura u gjend i lirë në zonë, duke u treguar i saktë përballë Alison, për të vënë baraspeshën.
Liverpuli u hodh i gjithi në sulm në kërkim të fitores, duke lënë shumë hapësira pas, me Totenhemin që pati dy raste të pastra, por që nuk arriti t’i finalizonte.
Në minutën e 90-të erdhi dhe momenti vendimtar i ndeshjes, me Salah që goditi me kokë, por u ndal nga Loris, pritje që u bë e pavlefshme nga devijimi i pafat i Tobi Aldervireld.
Festë e çmendur në “Anfield”, me Liverpulin që mbetet përsëri në garë për titullin kampion, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e parë, pasi ka një ndeshje më shumë se Mançester Siti.
Premier League
Liverpul – Totenhem 2-1
Shënues: Firmino 16’, Aldervireld (aut.) / Lukas 70’