Kryeqyteti i Italisë është veshur bardhekaltër për mbrëmjen e sotme, teksa në derbi Lacio i Tomas Strakoshës ka triumfuar ndaj Romës me shifrat 3-0. Me nga një gol për çdo pjesë, ekipi i Inzagit arriti të marrë një triumf mjaft me vlera.
Gjithçka nisi e zjarrtë dhe me ritëm, ku u deshën vetëm 12 minuta, që Felipe Kaisedo t’i jepte avantazhin Lacios. Pasim perfekt i Korreas dhe finalizimi nga ekuadoriani nuk ka nevojë për shumë koment, ku shmang me gjakftohtësi Olsenin dhe shënon me portën e zbrasur. Goli i sulmuesit mbeti në fuqi deri në fundin e 45 minutave të para.
Pjesa e dytë nisi me Romën mjaft këmbëngulëse, teksa verdhekuqtë patën disa raste, ku ndër më të rrezikshmit mund të veçohet predha e Florencit, të cilën Strakosha e devijoi mrekullisht, duke mbajtur portën të paprekur.
Roma u hodh e gjitha përpara në kërkim të golit, dhe në minutën e 72-të u kap në befasi nga një kundërsulm, ku si protagonist ishte dhe një herë Korrea. Ky i fundit, depërtoi mjaft mirë në zonë dhe u ndal nga Facio në mënyrë të parregullt. Penallti për Lacion, me Imobilen që pozicionohet te topi. Sulmuesi tregohet i saktë, duke dyfishuar shifrat dhe duke çuar në qiellin e shtatë tifozët.
Gjithsesi, asgjë nuk kishte përfunduar, pasi ishte Danilo Kataldi, i cili shënoi dhe golin e tretë, duke çmendur në festë veten, ekipin dhe tifozët. Kështu, bardhekaltrit ngjiten në kuotën e 41 pikëve tashmë, tre më pak se Roma dhe gjashtë më pak se Interi i vendit të katërt.
Serie A | Java 26
Lacio 3-0 Roma
Shënues: Kaisedo 12′, Imobile 72′(pen.) , Kataldi 89′