“Partizanit i duhet një sulmues goli për të fituar titullin kampion”. E kanë thënë të gjithë, edhe pse trajneri Skënder Gega deklaratë pas deklarate tentonte të tregonte besimin e tij te lojtarët që kishte në dispozicion. Por opinioni i përgjithshëm ka fituar në fund dhe presidenti Gazment Demi e ka “zgjidhur qesen”.
Tani është shumë e vështirë të gjesh lojtarë, por përmes menaxheres të ndryshëm është tentuar të gjendet i duhuri. Për Partizanin ka një emër konkret dhe ai është sulmuesi Kuame Karikari, ganez që do të lërë Neftçi Baku.
Te kryesuesit e elitës azere ai nuk ka gjetur shumë hapësira dhe në tetë ndeshje (4 titullar) ka shënuar dy gola. I gjatë rreth 190 centimetra, sulmuesi ka eksperienca të ndryshme në Katar, Ukrainë, Norvegji, Turqi dhe Suedi.
Stacioni i radhës për sulmuesin do të jetë Shqipëria. Marrëveshja mes palëve është arritur dhe ditën e hënë pritet të mbyllet gjithçka edhe në mënyrë zyrtare. Karikari ka ulur goxha pretendimet financiare dhe është bindur të provojë Superioren. Ndërmjetës për transferimin e 26-vjeçarit është menaxheri Franci Bode.