Hungaria ka bërë surprizën e madhe ndaj Kroacisë, duke i mposhtur me përmbysje me shifrat 2-1. Një nisje jo e mirë e eleminatoreve për nënkampionët e Botës, të cilët edhe në ndeshjen e parë shfaqën probleme, ku fituan me vështirësi 2-1 ndaj Azerbajxhanit.
Kroacia e nisi mjaft mirë ndeshjen, teksa vetëm pas 13 minutash kaloi në avantazh me anë të Ante Rebiç, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një rrëmujë në zonën e vendasve.
Gjithsesi, Hungaria arriti të reagonte në minutën e 34-të, ku Adam Szalai mposhti portierin Subashiç me një diagonale të bukur.
Në pjesën e dytë, ishin përsëri vendasit, të cilët shtangën ballkanasit, duke përmbysur gjithçka me anë të mesfushorit Patkai në minutën e 76-të.
KUALIFIKUESE EURO 2020
GRUPI E
Hungari – Kroaci 2-1
Shënues: Szalai 34’, Patkai 76’ / Rebiç 13’
Ndërkohë në Grupin G, Izraeli ka befasuar Austrinë në shtëpi, teksa e ka mposhtur me shifrat 4-2, ku Eran Zahavi dhuroi spektakël me një tripletë.
Austria e nisi mirë takimin, pasi në minutën e tetë gjeti avantazhin me anë të Marko Arnautoviç, i cili shrytëzoi në maksimum një pasim të Zulj, duke u treguar i saktë përballë portierit.
Vendasit arritën të reagonin në minutën e 34-të, me sulmuesin Eran Zahavi, i cili “dogji” mbrojtësit austriak pasi kërceu mbi ata, duke goditur me kokë dhe baraspeshuar shifrat.
Në fundin e pjesës së parë, Izraeli përmbysi gjithçka dhe autor i golit ishte përsëri Zahavi, i cili shënoi në zhvillimet e një goditje dënimi.
Në fraksionin e dytë, Zahavi e vijoi spektaklin e tij, pasi shënoi një supergol, duke i dhënë qetësi kombëtares së tij dhe duke plotësuar tripletën personale.
Në minutën e 66-të ishte radha e Munes Dabur, i cili fundosi akoma më tej Austrinë, duke e thelluar rezultatin në 4-1.
Nëntë minuta më vonë, ishte Austria që shënoi golin e dytë, me autor përsëri Marko Arnautoviç.
KUALIFIKUESE EURO 2020
GRUPI G
Izrael – Austri 4-2
Shënues: Zahavi 34’, 45’, 55’, Dabur 66’ / Arnautoviç 8’, 75’
KUALIFIKUESE EURO 2020
GRUPI I
San Marino – Skoci 0-2
Shënues: MekLin 4’, Rasëll 74’