Kukësi ka mposhtur Laçin me rezultatin 0-1 në fushën e këtyre të fundit, falë një goli spektakolar nga Vesel Limaj në minutat e fundit të takimit. Gjoka e nisi me fitore aventurën e tij në krye të verilindorëve, që tashmë presin rezultatin e Partizanit me shumë interes.
Pjesa e parë – Gjatë 45 minutave të para të takimit, rastet ishin me pikatore dhe të dyja skuadrat u mbrojtën shumë mirë. Edhe pse Kukësi dominoi në qarkullimin e topit, nuk arriti të gjejë hapësira. Ndërsa Laçi, me anë të kundërsulmeve, rrezikoi disa herë portën e Frashërit. Fillimisht Xhixha dhe Çokaj, por dhe Lushkja tentoi kuadratin. Asnjë sekondë shtesë në pjesën e parë dhe skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-0.
Pjesa e dytë – Edhe në pjesën e dytë, skuadrat i dhanë më shumë prioritet mbrojtjes dhe nuk donin të pësonin. Sërish Kukësi pati qarkullimin e topit, por sulmi i verilindorëve nuk ishte në një ditë të mirë. Pati disa pretendime për penallti, si nga Kukësi, ashtu dhe nga Laçi, por ndeshja vijoi e qetë dhe me raste të munguara. Por në minutën e 88’, Vesel Limaj “çmendet” dhe lëshon një predhë nga një distancë shumë e largët, duke mposhtur portierin Selmani. Një supergol nga mesfushori i Kukësit, i cili i dha tri pikë shumë të rëndësishme verilindorëve.
Kategoria Superiore – Java 28
E mërkurë, më 10 prill 2019, ora 15:30
Stadiumi “Laçi”, Laç
LAÇI-KUKËSI 0-1
Limaj 88′
Laçi: Selmani, Mersinaj, Toro, Gjoni, Sefgjini (Domgjoni 89′), Eller, Lushkja, Çokaj, Okpotu (Deliu 79′), Mane (Jonuzi 71′), Xhixha. Trajner: Sulejman Starova
Kukësi: Frashëri, Maliki, Teqja, Cuculi, Rrumbullaku, Uilliam (Et’hemi 74′), Limaj, Rroca, Rama (Çyrbja 85′), Rexhinaldo, Shkurtaj (Musolli 67′). Trajner: Ernest Gjoka
Gjyqtarë: Andi Koçi, Fatmir Lamaj, Ilir Tartari, Ermal Llapra
Delegat: Marjus Sulejmani; Vazhgues: Mhill Shkëmbi
Kartonë të verdhë: Limaj 23’
EPISODET –
90′ – Mbyllet takimi në Laç, vendos supergoli i Vesel Limajt. Kukësi merr tri pikët, Laçi “qan” rastet e humbura
88’ – Gooool Kukësi! Një “perlë” nga Vesel Limaj, i cili ndëshkon portierin Selmani nga një distancë shumë e largët. Mesfushori i verilindorëve nuk mendohet dy herë dhe lëshon një predhë, duke i dhënë avantazhin Kukësit
70’ – Pas 70 minutave në hije, Valdet Rama shfaqet më në fund rrezikshëm te porta e Laçit. Pas kombinimeve të mira me Kordeiron, ish-sulmuesi i kombëtares godet me të majtën, por Selmani e ndal, duke mbajtur rezultatin në 0-0
67’ – Zëvendësimi i parë i takimit. Musolli rikthehet në fushë pas gati shtatë muajve dhe merr edhe shiritin e kapitenit. Largohet nga fusha Shkurtaj
60’ – Kundërsulm shumë i mirë i Laçit dhe gjen mbrojtjen e Kukësit të papërgatitur. Topi përfundon te Mane, me sulmuesin afrikan që gjuan nga jashtë zonë dhe topi i tij shkon shumë pranë shtyllës. Rrezikshëm Laçi
50’ – Pjesë e dytë e ngadaltë, të dyja skuadrat e ulin ritmin e lojës
45’ – Mbyllet pjesa e parë në barazim 0-0. Kukësi qarkulloi topin dhe dominoi në terren, por rastet më të pastra i pati Laçi. Lushkja ishte ai që iu afrua më shumë golit, por asgjë nuk i ndan dy skuadrat, që duhet të provojnë në pjesën e dytë për ta fituar takimin.
42’ – Një aksion i gjatë i Laçit konkretizohet me një gjuajtje të mesfushorit Lushkja, e djathta e të cilit shkon shumë pranë traut të portës së mbrojtur nga Frashëri. I pafat numri 22 i kurbinasve
30’ – Dy goditje të njëpasnjëshme të Laçit. Fillimisht Xhixha e më pas Çokaj, por mbrojtësit e Kukësit bllokojnë të dyja tentativat e kurbinasve. Vazhdon 0-0 në Laç
23’ – Ndërhyrje shumë e ashpër e Vesel Limaj. Mesfushori i Kukësit ndëshkohet me karton të verdhë dhe mungon javën e ardhshme
15’ – Minuta të qeta në Laç. Kukësi qarkullon topin dhe mundohet të gjejë hapësira me krosime, por kurbinasit mbrohen mirë
1’ – Fillon takimi në Laç