Çmenduri, një natë magjike në “Anfield Road”. Liverpuli mundi Barcelonën 4-0 dhe arriti të përmbysë atë humbje 3-0 në ndeshjen e parë në “Camp Nou”, duke rikthyer shumë kujtime të bukura në kampin e të kuqve. Të besuarit e Jurgen Klop, falë dopietave të Origit dhe Vijnaldum, janë finalistët e parë për këtë edicion të Champions League, finalja e dytë radhazi për ta.
Ndeshja nisi shumë mirë për Liverpulin, që shënoi në minutë e 7’ me anë të sulmuesit belg, Origi, i cili nga një distancë e afërt dhe me portën thuajse të boshatisur, nuk e ka aspak të vështirë të shënojë. Pjesa e parë u mbyll vetëm me këtë gol, ndërsa në të dytën, shijuam një spektakël të vërtetë.
Klop bën lëvizjet e duhura në formacion dhe aktivizon Vijnaldum, me mesfushorin holandez që shënon dy gola në dy minuta, njëri më i bukur se tjetri. E për t’i vendosur kapakun një nate magjike, mendoi sërish Origi, i cili në minutën e 80’, kompletoi përmbysjen e madhe, duke eliminuar Barcelonën dhe duke çuar Liverpulin e tij në finale.
Liverpul – Barcelona 4-0 (0-3)
Origi 7’ 80′, Vijnaldum 54’ 56’