Ndeshja e fundit e javës së 12-të ishte ajo mes Flamurtarit dhe Luftëtarit. Skuadrat ndanë nga një pikë, duke barazuar 0-0 në Vlorë, megjithatë rastet e diskutueshme nuk munguan. Ky takim gjykohej nga Olsid Ferataj.
Rasti i parë i diskutueshëm është ai i minutës së 9-të, kur pas goditjes së Bathës, Hoxha ndali topin me dorë, në vijën fatale. Një moment shumë delikat, pasi duket që Hoxha devijon pastër me dorë, ndonëse është në rënie, nuk mund të konsiderohet si një pozicion jonatyral. Një moment që duket se kryesori ka gabuar, por në këtë pikë do duhej gjyqtari pas porte, i cili në këtë takim mungonte.
Episodi i dytë i diskutueshëm është ai i minutës së 33-të, kur Torasa shërben për Mustën, por Liçaj ndërhyn dhe akordohet goditje nga këndi. Një situatë tepër e vështirë për t’u gjykuar nga pamjet filmike, pasi lojtar ii Luftëtarit e ka devijuar topin me këmbën e tij të djathtë, por shihet që me këmbën tjetër i prish ekuilibrin Mustës. Normalisht që për këtë rast plan më të pastër ka pasur gjyqtari anësor, i cili dhe ka marrë vendimin.