Valencia ka marrë një fitore bindëse në transfertë 2-6 përballë Hueskas, ku 5 gola i kanë shënuar që në pjesën e parë, hera e parë në historinë e klubit në La Liga. Miqtë shiheshin dukshëm favoritë para fillimit të sfidës, por fitorja 2-6 tregoi që diferencat mes skuadrave ishin më të mëdha seç u mendua në fillim.
Mesfushori Daniel Vas hapi serinë e golave, që në minutën e dytë të takimit. Rodrigo në minutën e 16’ dhe Mina në të 20-ën trefishuan shifrat. Në 25 minutat e mbetura të pjesës së parë, do të kishte kohë edhe për dy gola të tjerë. Mina shënon të dytin personal në minutën e 32’, ndërsa nja autogol nga Etkseita vendosi shifrat në 0-5.
Rodrigo do të shënonte sërish në pjesën e dytë, teksa në minutën e 51’ i çoi shifrat në 0-6. Golat e nderit për vendasit e Hueskas u shënuan nga Melero dhe Galar. Me këtë fitore të thellë, Valencia i çon një mesazh Arsenalit, skuadër me të cilën do të përballet në “Mestalla” në gjysmëfinalen e kthimit të Europa League, ku do i duhet të përmbysë humbjen 3-1 në “Emirates Stadium”.