Ylli i PSG-së Nejmar Xhunior ka qenë i detyruar të shikojë nga ekrani i televizorit shokët e skuadrës së tij, teksa ata përballeshin në “Old Trafford” kundër Mançester Junajtid. 27-vjeçarit i duhet të presë dhe të paktë një muaj e gjysmë për t’u rikthyer në fushë dhe në Paris kanë besim se ai mund të jetë gati për ndeshjen e parë të fazës së çerekfinaleve të Champions-it në fillim të muajit prill.
Fitorja në Angli e ka bërë kalimin në çerekfinale thuajse të sigurt për kampionët e Francës. Sigurisht Nejmar ka qenë një ndër njerëzit më të gëzuar në planet në ato momente dhe këtë e vërteton një video e hedhur në rrjete sociale nga një mik i futbollistit, ku ylli brazilian nuk e përmban veten në festimet e golave të skuadrës së tij edhe pse një këmbë nuk mund ta ulë ende me tokën.