Liverpuli kalon me sukses një tjetër transfertë, pas asaj të mesjaves ndaj Bërnlit, duke treguar forcën me një fitore 0-4, në fushën e Bornmuth. Ndeshja u vendos nga Salah, i cili shënoi një tregolësh, teksa vendasit shënuan dhe një autogol, si për të konfirmuar momentin “jo” të tyre.
Sfida nisi e ekuilibruar, me ekipin vendas që ishte i mbyllur prapa dhe Liverpuli që tentonte të gjente hapësira. Në momentin kur “The Reds”, e ulën ritmin e tyre dhe Bornmuth nisi të sulmonte, ishte Mohamed Salah në minutën e 25-të, i cili kaloi në avantazh ekipin e Klop. Një gol, që realisht ishte në pozicion të parregullt, por në Angli sistemi VAR nuk është aplikuar ende.
Fraksioni i dytë nisi menjëherë me gol. Përsëri ishte Salah, i cili bëri heroin, duke shënuar një gol mjaft të bukur, me një aksion individual të tij, vetëm tre minuta pasi kishte nisur loja. Liverpul vijoi të dominonte sfidën dhe në minutën e 67-të arriti të gjente dhe golin e tretë, ku Kuk shënoi në portën e tij.
Salah vijoi të dhuronte spektakël, teksa shënoi një tjetër gol të mrekullueshëm për të çuar shifrat përfundimtare në 0-4. Tashmë Liverpuli ngjitet në krye të Premier Ligë dhe pret i qetë superduelin, midis Çelsit dhe Mançester Sitit në këtë pasdite. Në rast se “Citizens” ndalen atëherë “The Reds” do të udhëheqin të vetëm kampionatin, ku pas 16 javësh kanë grumbulluar plot 43 pikë.