Mançester Junajtid ka marrë një fitore shumë të vështirë 2-1 në “Old Trafford” përballë Uest Hemit. Të dy golat për “Djajtë e Kuq” u shënuan nga Pol Pogba me penallti, nga një për secilën pjesë.
Fillimisht, mesfushori francez u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 19’ të takimit, duke i dhënë avantazhin Mançester Junajtid. Ndeshja ishte shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, por gola më në pjesën e parë nuk pati.
Sapo filloi fraksioni i dytë i lojës, Felipe Anderson barazon shifrat, duke shënuar një gol shumë të bukur. Sulmuesi brazilian konfirmohet dhe një herë tjetër si lojtari më i rëndësishëm i Uest Hemit. E kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, gjqytari akordon një penallti të dyshimtë për “Djajtë e Kuq”. Pogba merr sërish përgjegjësinë mbi supe dhe në minutën e 80’, shënon dhe i jep fitoren Mançester Junajtid, që pas 33 javësh kampionat, ngjitet në vend të pestë në kuotën e 64 pikëve.
Premier League, java 33
Man. Junajtid – Uest Hem 2-1
Pogba (pen.) 19’ 80’ / Anderson 49’