Spektakël në ndeshjen e parë të Serie A për ditën e sotme. Torino ka triumfuar me përmbysje ndaj Sasuolos me shifrat 3-2 në një ndeshje të çmendur.
Sfida nisi më mirë për Torinon, që në minutën e 17-të pati një mundësi të shkëlqyer për të kaluar në avantazh, por Andrea Beloti u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Dhjetë minuta më vonë, ishin miqtë nga Sasuolo, të cilët kaluan në avantazh me anë të Burabias. Ky i fundit shënoi me një goditje të bukur nga jashtë zone, duke mposhtur portierin Sirigu.
Gjithsesi, autori i golit, Mehdi Burabia bëri një gafë të madhe, teksa në festën e golit hoqi fanellën, duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe duke lënë ekipin e tij në inferioritet numerik.
Torino arriti të përfitonte vetëm në pjesën e dytë, më saktë në minutën e 56-të, kur De Silvestri asistoi për Belotin, i cili këtë herë nuk gaboi duke vënë baraspeshën.
Vendasit e shtuan presionin, por ata që shënuan ishin miqtë. Sasuolo befasoi torinezët në minutën e 71-të, ku ishte Pol Lirola, i cili realizoi një gol të mrekullueshëm me finte.
Spektakli nuk u mbyll me aq, pasi dhjetë minuta më vonë, “Demat” reaguan përsëri me anë të Simone Zazas. Sulmuesi u lirua bukur në zonë dhe i vetëm përballë Konsilit e ndali topin në rrjetë.
Dy minuta më vonë ishte Andrea Beloti, i cili dhuroi spektakël, duke shënuar me roveshatë një gol të pabesueshëm. Tri pikë për Torinon, që tashmë kalon Romën në renditje, si për të konfirmuar një sezon fantastik.