Një dygolësh i Barbara Bonanseas i ka dhuruar tre pikët e para kombëtares italiane të femrave në Botërorin që po zhvillohet në Francë. Italia ndodhet në grupin C bashkë me Australinë, Brazilin dhe Xhamajkën.
Ekipi axurr mposhti 2-1 Australinë në një ndeshje plot emocione. Samanta Kerr kaloi kombëtaren përtej oqeanit në avantazh në mesin e pjesës së parë. Goditja nga pika e penalltisë u prit nga Laura Xhuliani, por topi përfundoi sërish në këmbët e Sarr, e cila nuk fali më.
45-minutat e para u mbyllën me avantazhin australian, ndërsa Italia përmbysi gjithçka në të dytën. Barazimi nuk vonoi dhe u arrit shumë shpejt. Bonansea shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes australiane, vërshoi drejt portës dhe goditi saktë duke barazuar shifrat.
Vajzat italiane rritën presionin për të gjetur golin e avantazhit dhe ia dolën në sekondat e fundit. Heroina ishte Barbara Bonansea. Sulmuesja e Juventusit shfrytëzoi një krosim të Çernoias në minutën e pestë shtesë dhe me kokë dërgoi shoqet e saj në ekstazë.
Nisje shumë e mirë për vajzat e drejtuara nga Milena Bertolini. Italia do të zhvilloje ndeshjen e radhës kundër Xhamajkës me datë 14 qershor, ndërsa katër ditë më pas luhet supersfida kundër Brazilit.