Bajerni i Mynihut nuk fal dhe pas ndalesës që Dortmund bëri një natë më parë, u treguan të pamëshirshëm ndaj Gladbahut. Fitore e thellë 1-5 e ekipit të Kovaç, të cilët tashmë e shohin veten me pikë të barabarta me kryesuesit e Dortmundit.
Bajerni e nisi me marshin e pestë ndeshjen, teksa vetëm 65 sekonda iu deshën për të kaluar në avantazh. Ishte Havi Martinez, i cili goditi saktë me kokë pas një goditje nga këndi, duke zhbllokuar sfiën.
Më pas, në minutën e 11-të pas një pasimi të Gnabrit, Tomas Myler dyfishoi shifrat. Gjermani u ndal nga portieri Somer fillimisht, por në tentativën e dytë u tregua i saktë duke çuar topin në rrjetë.
Gjithsesi, vendasit e Gladbahut nuk u dorëzuan dhe në minutën e 37-të rihapën takimin. Lars Stindl liroi të majtën e tij dhe ndëshkoi Manuel Nojer, duke çuar ekipet në pushimin mes pjesëve me rezultatin 1-2.
Fraksioni i dytë nisi fotokopje e pjesës së parë, teksa u deshën vetëm 63 sekonda dhe Robert Levandovski shënoi golin që çoi shifrat në 1-3.
Sidoqoftë, bavarezët nuk u mjaftuan me kaq, pasi në minutën e 75-të shënuan dhe golin e katërt, me autor Serzh Gnabrin, i cili shtyu në rrjetë një top të kthyer nga portieri Somer pas goditjes së Levandovskit.
Pikërisht ky i fundit shënoi dhe golin e pestë në minutë e 92-të, duke mbyllur gjithçka në 1-5. Kështu, ekipi nga Mynihu merr një fitore me vlera dhe barazon në krye Dortmundin me 54 pikë.
Bundesliga | Java e 24
Borusia Mynshengladbah 1-5 Bajern Mynih
Shënues: Stindl 37′ / Havi Martinez 2′, Myler 11′, Levandovski 47′, 90+2′(pen.), Gnabri 75′