Bajerni i Mynihut ka bërë detyrën në shtëpi teksa ka mposhtur me shifrat 4-1 Shtutgartin. Një sukses, që e çon diferencën me Dortmundin e vendit të parë përsëri në -6 pikë. Ndeshja u zgjidh nga golat e Tiagos, Goreckës, Levandovskit si dhe një autogoli. Për miqtë shënoi Donis.
Sfida nisi menjëherë me gol për Bajernin, duke dhënë përshtypjen e një goleade, ose ndeshje të thjeshtë, por Shtutgarti diti të reagonte. Në minutën e 27-të ekipi mik baraspeshoi me anë të Donis, duke mbyllur pjesën e parë me shifrat 1-1.
Fraksioni i dytë nisi përsëri me gol për Bajernin, ku në minutën e 55-të, Gentner shënoi në portën e tij në mënyrë të pafat. 10 minuta më vonë, Levandovski humbi një 11-metërsh, por Gorecka në minutën e 71-të shënoi golin e qetësisë.
Levandovski korrigjoi shënjestrën në minutën e 84-të, teksa shënoi golin e katërt për ekipin e tij, pasi u asistua nga Xhoshua Kimish. Vlen për t’u përmendur që në minutën e 86-të debutoi Alfonso Dejvis, i cili u afrua te Bajerni në këtë merkato.