Leisteri i jep një tjetër shuplakë shpresave të Arsenalit për të arritur Championsin nga Premier Liga. Londinezët janë shkatërruar nga “Dhelprat” me shifrat 3-0, duke marrë humbjen e tretë radhazi në kampionat.
Ndeshja nisi e luftuar nga të dyja ekipet me dyluftime të shumta, ku pre e lojës së ashpër ra Maitland-Najls. Anglezi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 36-të, duke lënë Arsenalin me dhjetë lojtarë.
Që nga ai moment, Leisteri e rriti shumë presionin dhe ndeshja u bë një dialog mes sulmit të “Dhelprave” dhe portierit Bernt Leno, i cili u mundua të ndalte çdo top që i vinte drejt katërkëndëshit.
Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të gjermanit, në minutën e 59-të ishte Juri Tilemans, i cili pas një krosimi nga Medison, shënoi me kokë, duke çuar në avantazh ekipin e tij.
Pavarësisht golit të pësuar, “Topçinjtë” u treguan të pafuqishëm për të reaguar dhe Leisteri gjeti edhe dy gola të tjerë, me anë të Vardit, i cili shënoi dopietë, me ndeshjen që u mbyll me shifrat 3-0.
Kështu, Arsenali mbetet i pesti në renditje vetëm dy javë nga fundi, me Championsin që mund të arrihet vetëm nga dritarja e Europa League, pasi nga kampionati me formën e shfaqur duket jashët mase e vështirë.
Premier Ligë
Java e 36-të
Leister 3-0 Arsenal
Shënues: Tilemans 59′, Vardi 86′, 90+5′