VIDEO | Argjentina thyen mallkimin, medalje dhe hakmarrje ndaj Kilit

Argjentina ia doli të hakmerret kundrejt Kilit, edhe pse vendi i tretë nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe. Kombëtarja “albiceleste” kishte dështuar në dy finalet e fundit të Kupës së Amerikës kundrejt ekipit të Sançez dhe Vidal.

Sergio Aguero zhbllokoi ndeshjen shumë shpejt. Sulmuesi i Mançester Sitit mori një asist nga Leo Mesi. Ylli i Barcelonës tregohet dinak, nis shpejt një goditje dënimi, zë të papërgatitur mbrojtjen kiliane dhe nxjerr sulmuesin para porte. Kun Aguero shmang portierin kilian dhe kalon kombëtaren në avantazh në minutën e 12-të.

Argjentina nuk u ndal dhe gjeti sërish golin dhjetë minuta më vonë. Paulo Dibala mori një asist të bukur nga Di Celso, shmangu me anë të një veprimi fantastik një mbrojtës kilian dhe dërgoi topin sipër portierit Arias.

Pjesa e parë u mbyll me tension. Geri Medel, i njohur për stilin e ashpër dhe karakterin luftarak, u shty me Leo Mesin. Ky i fundit nuk reagoi, por arbitri paraguaian i ndëshkoi të dy me të kuqe.

Ishte minuta e 37-të e ndeshjes, ndërsa ky ishte kartoni i dytë i kuq në karrierë për yllin argjentinas. Mesi kishte provuar për herë të parë shijen e daljes me të kuqe në një miqësore kundër Hungarisë, e zhvilluar në vitin 2005.

Kampionët në fuqi të Kilit reaguan në pjesën e dytë. Teknologjia VAR akordoi penallti dhe Arturo Vidal nuk gaboi nga pika e bardhë. Argjentina rezistoi, e ruajti avantazhin dhe arriti të fitonte medaljen e bronztë në Kupën e Amerikës.

Pengu i madh i Kilit mbetet gjysmëfinalja e humbur përballë Perusë, çka i hoqi mundësinë djemve të kolumbianit Rueda të ishin përballë Brazilit në finalen e madhe.

Argjentina-Kili 2-1
(Aguero 12’, Dibala 22’ / Vidal (pen) 59’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *