Mentor Mazrekaj mund të ishte lojtar i Tiranës. Nuk bëhet fjalë vetëm për një thashethem merkatoje, siç mund të ndodhë në jo pak raste, por diçka konkrete. Mesfushori nga Prishtina ka qenë në bisedime me drejtuesit e skuadrës 24-herë kampione në dritaren dimërore të transferimeve, por në fund nuk u arrit një marrëveshje mes palëve.
29-vjeçari është vetëofruar te skuadra bardheblu, duke shfaqur hapur dëshirën për t’u rikthyer në kryeqytet. Ndonëse në të shkuarën ka qenë pjese e skuadrës së Partizanit, rivalit të përjetshëm të Tiranës, Mazrekaj duket se ishte gati që të bënte “tradhtinë”.
Lojtari në fjalë ka qenë protagonist në derbi, teksa ai ka ndëshkuar bardheblutë në 4 majin e 2015, në barazimin 2-2 në “Qemal Stafa”. Tifozeria e kuqe ka pasur një “dashuri” të madhe për lojtarin, teksa pas operacionit dolën në mbrojtje të tij, duke iu vënë kundër trajnerit.
Arsyeja se pse nuk u konkretizua transferim i tij tek Tirana ishte se presidenti Refik Halili nuk e ka preferuar lojtarin për shkak të karakterit të vështirë të lojtarit. Mazrekaj në disa raste ka shfaqur probleme, çka i kanë shtyrë drejtuesit për të mos i ofruar një kontratë.
Duke ditur lidhjen që ka pasur me tifozerinë e kuqe dhe faktin se në të shkuarën ka luajtur për 4 edicione me “demat” do të konsiderohej një tradhti nga tifozët e Partizanit kjo lëvizje.