Partizani kishte mundësinë të shkëputej edhe më shumë në krye të renditjes në rast të një fitoreje në Laç, por ishin vendasit ata që triumfuan 1-0, me golin e Ndriçim Shtubinës. Një ndeshje “jo” kjo për Partizanin, që pësoi humbjen e katërt këtë sezon.
Në tribunat e stadiumit të Laçit, tifozët e të dyja skuadrave ishin të shumtë, me vendasit që i vendosën në dispozicion “Demave të Kuq” tribunën pas porte. Në tribunën kryesore, atë pranë pankinave, tifozët e Laçit ishin të shumtë dhe patën edhe një bisedë shumë interesante me teknikun Gega.
“Vetëm ne do ju shpallim kampion”, i tha një prej tifozëve Gegës. Një tjetër më pas u jepte zemër: “1-1 del ndeshja, pa merak”. Trajneri i Partizanit nuk i ktheu përgjigje tifozëve, por vuri buzën në gaz. Pavarësisht humbjes, të besuarit e Gegës vazhdojnë të kryesojnë të qetë, ku ndjekësit më të afërt janë shtatë pikë larg.