Sami Kedira është gati për nisjen e kampionatit, ku të shtunën, Juventus udhëton në Verona për t’u përballur me Kievon. Mesfushori ndihet gati për sezonin e ri dhe është i lumtur që do të rikthehet të luajë në një ekip me Ronaldon (u aktivizun bashkë për 5 vite tek Reali i Madridit). 31 vjeçari i rikthehet Botërorit të Rusisë dhe tregohet i sinqertë në fjalët që ka shkruar në “Insta”.
“Më në fund nisim sezonin të shtunën. Kam pritshmëri të mëdha për sezonin e ri dhe ndjesi të mira për skuadrën tonë. Është fantastike të luaj përsëri me Kristianon mbas periudhës së Realit.
Mbas një sezoni të mirë me Juven, vera ishte një nga periudhat më të vështira në karrierën time. Në Botëror zhvillova disa nga ndeshjet më të këqija në karrierë dhe kritikat kundrejt meje dhe kombëtares janë të justifikuara.
E ardhmja me kombëtaren? Nëse do të ketë lojtarë më të mirë do ta pranoj diçka të tillë, ndërsa nëse grumbullohem përsëri, do të vazhdoj të luaj me krenari dhe gëzim për të kontribuar në suksesin sportiv të Gjermanisë”, përfundon mesfushori i bardhezinjve.