Vendimi i CAS-it, replika me Osmanin dhe dorëheqja e Shehit: Takaj flet hapur

Ardian Takaj ka bërë një përmbledhje të gjysmës së sezonit që aspo u mbyll. Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, numri një i korçarëve ka folur për disa tema të ndryshme,duke nisur që nga situata në klub dhe deri te konflikti me Osmanin. Sa i përket merkatos, presidenti i juglindorëve u shpreh: “Nuk mund të them që në verë klubi ka gabuar. Kundërshtarët mobilizohen dyfish kur përballen me Skënderbeun, lojtarët e ardhur duhet të ambientohen dhe të sillen si kampionë, duke përballuar çdo situatë. Ata që analizojnë dhe parashikojnë në studiot televizive? E di ku e marrin rrogën, nga kush paguhen dhe ku i hanë drekat. Këtu i gjithë problemi është pse mundim Partizanin, e kuptoni çfarë bëhet? Njerëz si Shkëlqim Muça dalin nëpër studio dhe nuk e kanë pranuar Skënderbeun që kalonte 4 ture në Europa League, ndërsa bëjnë parashikuesin, por nuk flasin për ekipet e tjera, se nuk kanë burrëri”.

Një nga çështjet më të nxehta të Skënderbeut është pa dyshim ajo e vendimit të CAS që do të vendosë shumë për fatin e klubit korçar, për faktin se varet e ardhmja e klubit. Takaj jep edhe lajmin se kur do të merret vendimi për skuadrën e tij, por në të njëjtën kohë veçon faktin se në klub gjithçka po shkon normalisht dhe puna po funksion më së miri: “Vendimi në CAS do të merret në mars e do të publikohet nga maji, ndaj nuk vjen para qershorit, skuadra nuk ka arsye pse ta ketë mendjen në CAS. Edhe klubi është i qetë dhe vazhdon punën normalisht, afron e shet lojtarë. Në janar do të bëjmë afrime, jemi në bisedime me 3 lojtarë, mesfushorë e sulmues. Më tepër jemi të fokusuar në tregun e huaj, presim një mesfushor që luan me kombëtaren e vendit të vet”.

Edhe pse dënimi i UEFA-s është 10-vjeçar dhe nëse CAS nuk e ndryshon do të ishte fundi, megjithatë Takaj premton besnikëri te skuadra korçare, duke theksuar se ai do të vijojë investimin në skuadrën e Korçës, pavarësisht asaj që mund të ndodhë: “Nga Korça nuk iki, çfarëdo që të ndodhë. Besoj te pafajësia e Skënderbeut dhe do të vazhdoj të investoj, siç kam bërë deri tani, duke ndërtuar një akademi që nuk e ka asnjë klub në Shqipëri”.

Pak kohë më parë u raportuar se trajneri Orges Shehi kishte paraqitur dorëheqjen dhe vetë Takaj e pranon se kjo gjë është e vërtetë: “Erdhi dhe paraqiti dorëheqjen, pasi mendonte se një ndryshim në stol do ndalte krizën, por krizat janë kalimtare, ndodhin edhe në klubet më të mëdhenj, shihni Realin apo Bajernin”.

Në fund nuk mungon as një replikë me Tefik Osmanin, i cili pak kohë më parë e kishte akuzuara presidentin Takaj. Ky i fundit është i qartë dhe nuk preferon të bëjë shumë polemika me mbrojtësin e Teutës: ”Akuzat e tij? Një keqkuptim, e respektoj dhe e dua fort. Ai ka ikur nga Skënderbeu sepse ndonjëherë bëhet më i mirë sesa duhet. Osmani mori përsipër të tjerët, nuk merrej me veten e tij”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *