Nga notat, te stadiumet e boshatisura dhe cilësia e kampionatit: Analiza e Redi Jupit

Kategoria Superiore ka mbyllur gjysmën e këtij sezoni, ku në 18 javë janë luajtur 90 ndeshje. Për dukuritë më të spikatura në këtë hapësirë kohe, specialisti i futbollit Redi Jupi, deklaron për SportEkspres.com se vendimet e FSHF-së duhet ti rregullojnë marrëdhëniet me tifozët, ato të jenë individuale dhe jo kolektive, bazuar edhe tek teknologjia. Këto Jupi i quan si elementë që po e dëmtojnë imazhin e garës, njëherësh bën edhe vlerësimin e tij teknik për skuadrat në 18 javë.

Redi Jupi ka qenë një ndër mesfushorët më të spikatur në futbollin shqiptar pas vitit 1990. Ai ka luajtur deri në vitin 2008 me të treja skuadrat e kryeqytetit, nisur nga Dinamo, por edhe në Superligën kroate dhe atë turke. Me Kombëtaren ka luajtur në 19 ndeshje, ndërsa pas lënies së futbollit ai ka qenë trajner te Dinamo dhe i Kombëtares U21 vjeç, ndërkohë që sot ka Akademinë e tij të futbollit dhe në media është një nga analistët më të kompletuar.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Cili është këndvështrimi juaj për dy fazat e para të Kategorisë Superiore?
-Në fakt janë luajtur dy faza, ku renditja tregon vlerat reale që kanë patur skuadrat në këtë periudhë. E rëndësishme është që në këto 18 javë nuk ka patur ndikime nga arbitrat, e besoj se ky është fenomeni më i rëndësishëm i këtij sezoni.

Po veçoni vetëm ndikimet nga arbitrat, po elementë të tjerë të garës si kanë qenë?
-Elementë të tjerë mendoj se janë ndërhyrjet e jashtme në garë. Edhe këto nuk kanë qenë evidente në këto 18 javë të luajtura. Njëherësh edhe aleancat mes skuadrave nuk janë shfaqur, ose nuk kanë patur ndikim në rezultate dhe në ecurinë e gjithë garës në Superiore.

Si e lexoni renditjen e Kategorisë Superiore për dy fazat e para?
-Kjo renditje mendoj se duhet të jetë edhe në fundin e kampionatit, nisur nga sa skuadrat janë shfaqur në vlerat e tyre në 18 javë. Partizani e Kukësi duken skuadrat më solide, ndoshta edhe Teuta me Laçin, ndërsa në fundin e renditjes kemi parë skuadra të dobëta në këto dy faza.

Bazuar në gjykimin tuaj teknik, si do ti vlerësoni skuadrat për dy fazat e para?
-Në gjykimin tim, Partizanin dhe Teutën i vlerësoj me notën 8, më e larta për mua në këto dy faza. Kukësin e Laçin me notën 7.5, Flamurtarin me notën 6, Skënderbeun, Luftëtarin e Kamzën me notën 5, Tiranën me notën 4.5 dhe Kastriotin me notën 4.

Nisur nga këto vlerësime teknike, çfarë mangësi kanë shfaqur skuadrat apo gara në tërësi në këto 18 javë?
-Që një kampionat të bëhet i rëndësishëm dhe të ndiqet me interes, duhet të jetë cilësor. Pikërisht kjo i ka munguar në këto 18 javë Kategorisë Superiore, ndoshta për faktin kryesor se skuadrat kanë në përbërje lojtarë lojtarë të papunuar, me mangësi në aspektin teknik dhe të lojës në tërësi.

Në këto dy faza të para, cilin mendoni se ka qenë lojtari më i spikatur?
-Nuk mund të them se ka dalë ndonjë lojtar i spikatur, ku veç Trashit që ka vite me një formë të mirë, do të veçoja edhe Asanin, Malën, Kallakun e Shkurtajn, të cilët me lojën e tyre premtojnë nivel të mirë. Të tjerët janë lojtarë “apartamenti”, nuk i shërbejnë cilësisë e garancisë në skuadra.

Sa vlerë ka një ndeshje futbolli kur në atë stadium nuk ka fare tifozë?
-Ky është një problem i madh. Futbolli duhet të punojë që t’i sjellë tifozët në stadium, ndërsa vendimet e çuditshme që i penalizojnë ata i kanë larguar. Vendimet duhet t’i rregullojnë marrëdhëniet me tifozët, dhe këtu duhen vendime individuale, jo kolektive. Në këtë aspekt është koha që të vihet në zbatim teknologjia në stadium.

Për përmirësimin e garës në gjysmën e dytë të këtij sezoni, ju çfarë do të sugjeronit?
-Që gara të jetë e pastër deri në fund, sa herë që ka denoncime si ajo e Stavri Nicës te Kastrioti të ketë një vendim. Kështu, ose të merren masa për lojtarët që e kanë shkelur rregulloren, ose në të kundërt, të ndëshkohet denoncuesi. Kjo po e dëmton imazhin e garës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online