Vanda zbulon ofertat për Ikardin dhe sfidon Ronaldon

Vanda Nara, gruaja dhe menaxherja e Mauro Ikardit, ka folur për sulmuesin e Interit dhe krahasimin me Kristiano Ronaldon. Gjatë prononcimit të saj, Nara zbulon dhe klubet që kërkuan Ikardin gjatë merkatos, mos grumbullimin në Botërorin e Rusisë dhe të ardhmen me Argjentinën.

Ikardi vs CR7 – “Kur nuk shënon Mauro kthehet në shtëpi i zemëruar dhe në ato raste unë nuk gjendem aty, sepse zhdukem (qesh). Shpresoj që të shënojë më shumë se Kristiano Ronaldo. Futbolli italian duket i thjeshtë për lojtarët e huaj, por fakti që portugezi po vuan për të shënuar është dëshmia që është e kundërta.”

Juventus – “Mund të them që i vetmi kontakt i Ikardit me Juventusin janë 7-të golat që iu ka shënuar. Është normale që kur shënon gola të bie shumë herë telefoni, por zgjedhja e tij ka qenë e qartë që në fillim dhe ne interistët ndihemi krenar për këtë fakt. Nëse të telefonon një president, unë duhet të bëj punën time dhe të përgjigjem, sepse nëse nuk do e bëja, Mauro do të më pushonte nga puna, por është ai që thotë fjalën e fundit. Juventusi e ka kërkuar, por objektivi kryesor ishte Kristiano Ronaldo për të synuar Champions Ligën.”

De Laurentis – “E kam takuar dhe është një njeri i mirë. Ai i bëri një ofertë Interit, por Mauro mori një tjetër vendim.”

Naingolan – “Polemikat nuk kanë të bëjnë me një futbollist si Naingolan. Të gjithë e dinë potencialin e tij dhe të gjitha skuadrat e donin për formacionin e tyre. Jetën private çdokush e menaxhon si të dojë vetë, por e rëndësishme është që në fushë, ai bën atë që duhet.”

Ikardi jashtë Botërorit – “Argjentina ka sulmues të mëdhenj dhe shumica e tyre luajnë me kombëtaren prej vitesh. Për këtë shkak ishte e drejtë të shkonin ata në Rusi. Mauro e dinte dhe ishte i qetë. Sot është një rrugëtim i ri, që bazohet në lojtarë të rinj dhe të shpresojmë që ta shohim në kombëtare që në ndeshjet e ardhshme miqësore.”

Kritikat e Maradonës – “Mauro është përgjigjur gjithmonë me edukatë kundrejt kritikave, sepse ka shumë respekt për Maradonën si futbollist.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *