Vanda Nara: Ikardi do të shënojë shumë gola. Dugllas Kosta? Juventus nuk e fal dot!

Vanda Nara, e cila është gruaja dhe menaxherja e Mauro Ikardit është e bindur që sulmuesi i Interit do të zhbllokohet shumë shpejt dhe do të nisë të shënojë gola. Në një prononcim për “Tiki Taka”, Nara komenton dhe rikthimin e Ikardit në kombëtaren e Argjentinës dhe e mbyll me dyshen e Juventusit: Kristiano Ronaldo e Dugllas Kosta.

Ikardi – “Për Mauron do të jetë një ndeshje e veçantë, sepse e ndjen shumë bluzën e Interit. Vitin e kaluar, kur askush nuk besonte, ai ishte i bindur që Interi do të kualifikohej në Champions. Ekipi ka nevojë për më tepër kohë dhe pastaj do të shohim një Inter shumë të fortë, sepse ka lojtarë të mëdhenj dhe një trajner shumë të aftë.

Mungesa e golit? Mauro është i qetë dhe ashtu jam dhe unë. Nuk po e përjeton me ankth mungesën e golit, sepse nuk ka luajtur në të gjitha ndeshjet. Mauro do të shënojë, sepse e ka bërë gjithmonë dhe është një gjë që i vjen natyralisht.”

Argjentina – “Nuk shihnim një Argjentinë të tillë prej kohësh. Janë grumbulluar shumë lojtarë të rinj, të cilët sfiduan një Kolumbi të madhe. Një Argjentinë e tillë na bën të ëndërrojmë.”

Ronaldo-Dugllas Kosta – “Ai është një fenomen dhe vlera e tij është e pallogaritshme. Para ndeshjes me Sasuolon kisha dëgjuar që Ronaldo po përjetonte pak ankth, sepse si për çdo sulmues, goli është ai që vlen. Dugllas Kosta? Juventus është një klub serioz dhe nuk bën polemika për episode të tilla. Ata do e gjobisin brazilianin, sepse futbollistët janë një shembull për të gjithë fëmijët. Sipas meje, ai është këshilluar keq, sepse nëse provokimi i Di Françeskos ishte aq i rëndë, atëherë, mund ta shkruante në postimin e bërë dhe të kërkonte falje”, përfundon Vanda Nara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *