Van Dijk apo Mesi për “Topin e Artë”. Kjo do të jetë çështja, që do të na ndjekë deri në zbardhjen e fituesit në fillim të vitit të ardhshëm. Mesi ka bërë një sezon individual të çmendur. Ai ka mbuluar më shumë se gjysmën e punës te Barcelona e këtij viti.
Është shpallur fituesi i “Këpucës së Artë” dhe golashënuesi më i mirë në Champions League. Ka më shumë asiste se të gjithë. Statikstikave të “pleshtit” nuk i afrohet askush.
Ndërkohë edhe Van Dijk ka bërë një sezon të artë me Liverpulin. Ai ka treguar se është një mburojë e fortë në mbrojtje dhe ka cilësitë e një lideri. 27-vjeçari nuk është dribluar asnjë herë këtë sezon.
Kjo ka ndodhur prej aftësive të mëdha, por edhe kujdesit, që ai ka për të hyrë në duele një me një. Ndryshe nga Mesi, Van Dijk nuk do kishte arritur gjë pa ndihmën e skuadrës. Fitimi i Champions League e favorizon jo pak.
Rikardo Kaka ka folur rreth kësaj çështje dhe si duket ka parë pak më shumë se ç’duhet Premier Ligën këtë sezon, duke humbur kështu magjitë e Mesit. Ose ngaqë Leo ka një dekadë që mrekullon, tashmë Kakasë nuk i bën përshtypje.
Ai mendon se argjentinasi nuk ka bërë sa Van Dijk për të fituar “Topin e Artë”. “Do të shohim kohën e mbetur se çfarë do të ndodhë. Gjatë bisedave të ndryshme kam analizuar se Van Dajk meriton të fitojë atë trofe individual. Pati një sezon të shkëlqyer dhe fitoi Champions League, duke luajtur në mënyrë të çmendur. Mendoj se ka ardhur koha ta fitojë një mbrojtës”, u shpreh Kaka.