Barcelona do të përballet me Realin e Madridit në mbrëmjen e nesërme. “Santiago Bernabeu” do të presë “El Clasico”-n e tretë prej orës 20:45. Ky është takimi i tretë në harkun e më pak se një muaji. Formacionet përgjithësisht mbahen të fshehta deri në momentet e fundit, gjithsesi në Spanjë është krijuar një ide se si do të rreshtohet skuadra e Valverdes.
MBROJTJA – Në portë nuk ka dyshime dhe pritet të jetë i zakonshmi Ter Shtegen. Pike dhe Alba konsiderohen të paprekshëm nga Valverde. Dyshimet qëndrojnë tek balotazhi mes dy francezëve: Umtiti dhe Lenglet. Ky i fundit shikohet më i avantazhuar, duke parë edhe paraqitjet e shkëlqyera që ka dhuruar gjatë mungesës së Umtiti. Semedo pritet të fitojë përsëri vendin e titullarit në krahun e djathtë të katalanasve. Portugezi ka treguar aftësi më të mira mbrojtëse se Sergi Roberto dhe shihet si zgjedhja më e mirë për të ndalur një lojtar si Vinicius Jr.
MESFUSHA- Në këtë repart i vetmi dyshim i Valverdes është krahu i djathtë i saj. Artur, Sergi Roberto dhe Vidal do luftojnë për një vend titullari. Braziliani shihet si më i avantazhuari për sigurinë dhe qetësinë që i jep mesfushës së blaugranëve. Ai ndihmon më tepër në qarkullimin e topit. Të zakonshmit Buskets dhe Rakitiç do të plotësojnë treshen e mesit të fushës.
SULMI- Ofensiva është pjesa me më pak dilema. Mesi, Suarez dhe Dembele do të luftojnë për të çarë mbrojtjen madrilene. Francezi ka dhuruar lojëra spektakolare në këtë sezon duke lënë në hije një ”yll” si Kutinjo, i cili do ta shohë edhe këtë ndeshje në pankinë.