Barcelona duhet të mundë Lionin dhe të sigurojë kalimin në fazën çerekfinale të Champions League. Katalanasit e kanë të qartë se përballë kanë një kundërshtar të vështirë, të cilin trajnerin Ernesto Valverde e ka vlerësuar maksimalisht.
“Nuk e di nëse do të ndryshojë diçka nga ndeshja e kaluar. Me 0-0 nuk ndodh asgjë. Ata kanë armët e tyre, sidomos në sulm, pasi lojtarët e tyre janë të shpejtë dhe do mundohen të shfrytëzojnë rastet e krijuara. Janë një ekip që e marrin iniciativën. Duam të kalojmë më tej, kjo është ajo që duam. Le të shëohim nëse do t’i konkretizojmë mundësitë që kemi”, tha tekniku i Barcelonës para mediave.
Atij i është kujtuar edhe eliminimi i bujshëm që i bëri Roma vjet: “Jemi të vetëdijshëm për atë që ndodhi një vit më parë. Po shohim pjesën tjetër të takimeve të Champions League për të vlerësuar kundërshtarët dhe e dimë që rezultati i ndeshjes së parë nuk shërben shumë. Rezultati ynë është i balancuar dhe duhet të fitojmë për t’u kualifikuar”.
Ousman Dembele ka shqetësuar katalanasit gjatë kësaj periudhe dhe Valverde thekson se do të mendohen mirë për aktivizimin e tij: “Do shohim gjendjen e tij dhe më pas do vendosim nëse do të luajë apo jo. Është një ndeshje vendimtare dhe nuk mund të rrezikojmë e më pas ta zëvendësojmë”.
Në fund edhe një koment për rikthimin e Zinedin Zidan në krye të Realit të Madridit. “Zidan është një trajner i madh dhe rikthehet në një klub të madh. Të gjithë marrin vendimet e tyre. Ai e ka bërë dhe do takohemi sërish tani”, përfundoi Valverde.