Valon Berisha është rikuperuar nga dëmtimi i pësuar dhe është rikthyer të luajë. 25-vjeçari u aktivizua në të dyja ndeshjet e Kosovës për Nations League. 74 minuta kundër Maltës dhe ndeshje e plotë përballë Ishujve Faroe.
Një lajm i mirë për Lacion dhe Simone Inzagin dhe siç citojnë mediat italiane, Berisha mund ta nisë nga formacioni ndeshjen kundër Parmës. Trajneri Inzagi do të ketë gati një nga blerjet e verës dhe një lojtar që ofron alternativa taktike.
Berisha mund të aktivizohet në shumë role, ndërsa trajneri Shaland e aktivizoi në rolin e trekuartistit përballë Ishujve Faroe. Lojtari nuk zhgënjeu dhe zhvilloi një takim pozitiv. Kualiteti i tij nuk vihet në dyshim, ndërsa Inzagi e pëlqen dhe për mentalitetin e tij fitues.
Lojtari i lindur në Suedi ka fituar pesë kampionate dhe katër Kupa Austrie me Salsburgun, ndërsa tashmë është gati për të fituar rolin e titullarit te Lacio. Berisha mund të bëjë mirë të gjitha rolet ofensive, ndërsa shihet dhe si një alternativë e mirë e Parolos dhe Milinkoviç-Saviç në mesin e fushës.