Myrto Uzuni e mbyll në mënyrën më të mirë me Laçin dhe tashmë do të luajë në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit. Sulmuesi anësor i kurbinasve shënoi dje një gol me Skënderbeun, ndërkohë që me Anorthosis Famagusta realizoi golin e kualifikimit në turin e dytë të Europa League.
Bardhezinjtë e kishin arritur akordin me kroatët që në muajin korrik, por e gjitha po shtyhej për shkak të gjetjes së një zëvendësuesi. Presidenti Pashk Laska mendonte të përforconte ekipin, pasi një largim i Uzunit pa elementët e duhur në ekip do t’i dobësonte ndjeshëm bardhezinjtë.
Kështu, Elvi Berisha do të jetë ai që mendohet si pasuesi i Uzunit te Laçi. Ish-lojtari i Tiranës, pjesë e Shqipërisë U19, vjet kaloi te Leganes (stërvitej dhe luante me ekipin e dytë) dhe tashmë do të rikthehet në Shqipëri.
I riu ka firmosur për dy vite me Laçin, që pret tashmë vetëm “OK” nga klubi spanjoll. Së bashku me Ivan Galiç, Berisha do të formojë dyshen e krahëve të sulmit, ndërkohë që ka edhe alternativa të tjera si Parmakovski dhe Shtubina.