Shqiptari nga Maqedonia është bashkuar me grupin në stërvitje, kurse elbasanasi pritet të riaftësohet plotësisht deri të enjten. Veliu mungesa e vetme
Elton Nika
Flamurtari ka rritur ngarkesat në stërvitje këto ditë, pasi në fundjavë nuk ka ndeshje zyrtare. Skuadra vlonjate ka zbritur dy herë në ditë në stërvitje dje, paradite dhe pasdite. Qëllimi i trajnerit Shpëtim Duro dhe stafit të tij është që deri ditën e ndeshjes në Shkodër me Vllazninë lojtarët të jenë në gjendjen e tyre më të mirë fizike dhe të pretendohet rezultati pozitiv në këtë transfertë. Barazimi me Luftëtarin në Vlorë nuk është pritur mirë, por vlonjatët prej tri javësh nuk e njohin humbjen dhe kjo është pozitive.
DËMTIMET – Gjendja e skuadrës kuqezi në këto momente është relativisht e mirë, edhe pse janë disa lojtarë që shqetësojnë për shkak të dëmtimeve që po kalojnë. Mesfushori Mohamed Useini është kthyer normalisht në stërvitje me grupin dhe nuk rrezikon aspak për ndeshjen me Vllazninë. Por situata nuk është e njëjtë për Veliun dhe Mustën. Për mbrojtësin vlonjat, stafi mjekësor konfirmon se vijon rikuperimi i tij pas dëmtimit të pësuar në fazën përgatitore dhe se me shumë mundësi edhe ndaj Vllaznisë nuk do të jetë i gatshëm. Pas ndeshjes me Laçin, që luhet menjëherë pas transfertës së Shkodrës, Veliu pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Duro, pra për ndeshjen me Kamzën në shtëpi mund të llogaritet. Franc Veliu pësoi një dëmtim në kofshë në Greqi dhe ende nuk e ka kapërcyer atë.
Emiljano Musta, mesfushori i ardhur nga Teuta gjatë kësaj vere, pësoi një dëmtim në kavilje gjatë ndeshjes së fundit në kampionat përballë Luftëtarit dhe la para kohe fushën e blertë. Për Mustën ka shpresa në fakt dhe pritet që të jetë gati për ndeshjen me Vllazninë, duke qenë se janë ende disa ditë kohë. Gjithsesi, gjendja e mesfushorit nga Elbasani do të ndiqet me kujdes ditët në vijim për të parë më mirë rikuperimin e tij. Optimizmi është i madh për aktivizimin në Shkodër, megjithatë stafi teknik mund edhe të mos e rrezikojë që në fillim, duke qenë se Flamurtari ka alternativa të shumta.