Uilliam Kordeiro Melo la skuadrën e Kukësit për t’iu bashkuar projektit të Partizanit. Futbollisti i “demave” pritet të debutojë me kryeqytetasit në takimin e sotëm ndaj azerëve të Karabak, ndeshje kjo e vlefshme për raundin e parë eliminator të Champions League.
Braziliani ka dhënë një prononcim për portalin “gazetaonline.com.br”, ku ka folur mbi takimin e sotëm. Sipas 25-vjeçarit faktori fushë do të jetë i rëndësishëm për të kuqtë. “Të debutosh në ndeshjet e Champions League është një rast shumë special. Jam shumë i motivuar, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës së Partizanit.
Kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë për këtë ndeshje. E dimë që Karabak është një kundërshtar shumë i fortë. Kemi si qëllim që të shfrytëzojmë faktorin fushë. Duhet të marrim një rezultat pozitiv, në mënyrë që të shkojmë në Azerbajxhan me një situatë sa më komode”, ka deklaruar braziliani.