Mauro Ikardi është çështja më e përfolur në ambientet e klubit të Interit. Këtë javë, argjentinasit iu hoq shiriti i kapitenit, i cili tashmë mbahet në krah nga Samir Handanoviç. Por jo vetëm kaq, pasi mediat në Itali kanë nisur spekulimet për një largim të mundshëm drejt Juventusit ose Realit të Madridit.
Pikërisht lidhur me interesin e këtyre të fundit, prestigjiozja spanjolle “Marca”, raportoi ditët e fundit, që Reali u tërhoq nga interesimi për Ikardin, si pasojë e Uanda Narës. Agjentja dhe njëkohësisht bashkëshortja e sulmuesit, reagoi me një postim në llogarinë e saj në “Twitter”, duke thënë se lajmet janë krejtësisht false. Në postimin që ajo e fshiu disa minuta pasi e postoi, shkruhej:
“Versioni që është dhënë për Realin është një gënjeshtër. Ndoshta koha do ta provojë diçka të tillë, ashtu siç u provua, kur thashë që për Ikardin, pati një interes të madh nga një ekip italian. Më trajtuan si gënjeshtare dhe një muaj më vonë ishte vetë drejtori i atij ekipi që tregoi për interesin mbi Ikardin.”