Marrëdhënia e sulmuesit Antoni Marsial me drejtuesit e “Djajve të Kuq” ka marrë një tjetër goditje pas mungesës së këtij të fundit në turin që skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka nisi kur 22-vjeçari u largua nga kampi stërvitor për të qenë prezent në lindjen e fëmijës së tij të dytë.
Junajtid i dha francezit një leje tri ditore, por së fundimi kur kanë kaluar më shumë se një javë nga lindja e fëmijës, sulmuesi nuk është bërë më i gjallë dhe kjo ka sjellë dhe një gjobë shembullore nga ana e klubit. 200000 euro është gjoba që i është vendosur lojtarit, një shumë kjo që përkon me gjysmën e rrogës së tij mujore te “Djajtë e Kuq”.
Acarimet mes Marsialit dhe klubit nga Mançesteri po vazhdojnë prej muajsh. Lojtari këkon me çdo kusht largimin dhe në Londër Totenhemi po bën çmos për ta marrë, por Murinjo ka vënë veton e transferimit të tij brenda kampionatit anglez në mënyrë që të mos fuqizojë rivalët, megjithatë ofertat nga jashtë Anglisë po mungojnë dhe ndoshta te Junajtid s’do kenë zgjidhje tjetër.