Turet e parë kualifikues të kupave të Europës janë kthyer në një problem konstant në luftën kundër trukimeve. Në çdo edicion të ndeshjeve ndërkombetare, në mënyrë periodike ka përballje në të cilat paracaktimi i rezultatit bëhet hapur, duke vënë në skenë shfaqje të shëmtuara.
Groteske ishte ajo që ndodhi me Luftëtarin në turin e parë kualifikues, në barazimin 3-3 ndaj Ventspilsit. Ajo ngjarje vuri në alarm të gjithë kompanitë e basteve, ndërsa një gjë e tillë ndodhi edhe me sistemin e UEFA-s për të luftuar trukimet.
Tashmë vjen lajmi se ndeshja e Luftëtarit është vënë nën hetim nga UEFA, me klubin shqiptar që rrezikon penalitete të rënda dhe një pezullim afatgjatë. Lajmi është bërë i ditur nga media rumune, “Fanatik”.
Sipas saj, gjirokastritët megjithatë nuk janë të vetëm. Në turin e dytë u regjistruan të tjera rezultate të dyshimta. Si fitorja 8-0 e Atalantës në fushën e boshnjakëve të Sarajevos. Ndeshja e parë në Itali përfundoi 2-2 me Sarajevon që shënoi dy gola me dy goditje në portë. Në takimin e kthimit boshnjakët u shfaqën të dorëzuar, duke pësuar 5 gola në pjesën e parë. Bastet për ndeshje me shumë gola rritën dyshimet.
E ngjashme edhe ndeshja e turit të dytë kualifikues ndërmjet Rio Aves dhe Jagielonias, që përfundoi në barazim 4-4. Polakët fituan ndeshjen e parë 1-0 dhe barazimi u mjaftoi për t’u kualifikuar. Edhe këtu dyshimet ishin të mëdha, prej lëvizjes së çuditshme të koeficientëve dhe UEFA ka nisur hetimin.