Në futboll si në jetë nuk shkon gjithçka vaj. Ka momente të lumtura dhe të vështira, por ai që duron, punon dhe nuk dorëzohet ia del të arrijë aty ku dëshiron. Një situatë e tillë i ka ndodhur Kieran Tripier, lojtarit të Totenhemit, i cili shkëlqeu në Botërorin e Rusisë me Anglinë.
28-vjeçari ishte pjesë e Mançester Sitit, por e vuajti shumë vendimin e klubit për ta larguar. Ai kaloi tek ekipi i Bërnleit dhe largimi nga “Qytetarët” rezultoi i duhuri dhe karriera e tij mori për mirë. Tripier pa vëllain e madh të tërhiqej nga futbolli për të një dëmtimi dhe diçka e tillë i dha forcë në momentet e vështira që po kalonte në karrierën e tij.
“Isha i shkatërruar, sepse mendoja që do të kisha një mundësi, por… Gjithçka ndodh për një arsye. Kalimi te Bërnlei ishte zgjidhja më e mirë e karrierës time. Luaja gjithmonë dhe u poqa shumë si lojtar. Duhej të bëja një hap pas, për të bërë një hap para. Gjithçka nisi nga lamtumira me Mançester Sitin.
Ka disa lojtarë, të cilët kanë potencial, konsiderohen më të mirët në ekipet e tyre, por rreth moshës 20-vjeçare zhduken nga radarët. Në atë moshë, të gjithë shqetësimet bien mbi ty dhe një presion i tillë mund të jetë i vështirë për t’u kontrolluar. Të rinjtë kanë nevojë të kenë rreth vetes njerëzit e duhur dhe të jetojnë çdo ditë plotësisht, pa marrë asgjë për të sigurtë.
Vëllai im është njeriu tek i cili mund të mbështetem. Nëse luaj mirë, ai ma thotë diçka të tillë, por edhe nëse luaj keq, më tregon të vërtetën. Ai është tipi i njeriut që kam nevojë, dikush që e di me të vërtetë se kush jam”, përfundon anësori i krahut të djathtë të Totenhemit për “Daily Mail”.