Lorenc Trashi mori çmimin “Lojtari i Vitit” ose siç është quajtur këtë edicion “Topin e Artë” të Superiores. Në një prononcim për “Supersport”, futbollisti i Partizanit foli për garën e titullit, të ardhmen dhe mbi çështjen e kombëtares.
ÇMIMI – “Shpresoj që ta mbyll me një trofe meqë e nisa me një trofe. Nuk e kam pritur. Më thanë që jam i ftuar te festa e Federatës, jo që kam fituar këtë çmim. Nuk e kam menduar këtë çmim, ndoshta ndonjë çmim tjetër. U surprizova dhe ndihem i vlerësuar”.
KAMPIONATI – “I kemi ndjekur të gjitha ndeshjet në këto 2 faza dhe të gjitha ekipet i kemi parë. të tregohemi realist që kampionati do të jetë i ashpër në vazhdim. Titullin do e fitojë ekipi që do të bëjë më pak gabim”.
E ARDHMJA – “Është viti i pestë te Partizani dhe çdo vit është folur për transferim timin, por nuk ka ndodhur për arsye të ndryshme. Nuk e kam në dorë as unë e as presidenti, por uroj që të bëjmë një mbyllje sa më të mirë dhe në fund të kampionatit të vihen pikat mbi i se çdo të bëhet mbi mua apo ndonjë lojtar tjetër. Shpresoj që të kap një kampionat më të fortë”.
PREMIO – “Presidenti Demi është korrekt. Pjesën e premios e ka vetë merak. Kemi marrë premio të mira për ndeshjet e forta, si çdo president që vë për skuadrën për ta motivuar. Kështu ka vepruar dhe presidenti Demi”.
TRANSFERIMI – “Ekipet që kanë pasur interes nuk e kanë bindur presidentin dhe mua. unë dua të ndahem nga Partizani që të jemi të kënaqur të gjitha palët. Ka 5 vite që presidenti investon te unë”.
DILEMA – Më kanë pyetur sot para stërvitjes nëse do të ndërroja titullin dhe të shkoja në Kombëtare apo të shkoj në Kombëtare dhe të mos dilja kampion. I thash që luaj për titullin prej 5 vitesh. Më mirë të fitoj titullin dhe Kombëtaren për herë tjetër.
FALËNDERIMET – “Dua të falënderoj presidentin Demi që më ka mbështetur si dhe drejtorin Olsi Rama”.