Juventusi do t’i duhet të hedhë pas humbjen e marrë një natë më parë në fushën e Jang Bojs, pasi tashmë përpara ka derbin ndaj Torinos. Gjithsesi, duket se humbja e mbrëmshme ka lënë disa pasoja në kampin bardhezi, pasi në sfidën e ardhshme me shumë mundësi do të vuajë dy mungesa të rëndësishme.
Huan Kuadrado dhe Zhoao Kanselo kanë pësuar dëmtime një natë më parë, ku si shkak kryesor shihet të jetë fusha me bar sintetik i zviceranëve të Jang Bojs. Kuadrado mund të ketë diçka më serioze se sa portugezi, pasi duket se ka një dëmtim në gju, por pritet të vlerësohet në ditët në vijim.
Ndërkohë, të paktën një lajm i mirë vjen nga Medhi Benatia. Marokeni i mbrojtjes nuk udhëtoi me ekipin drejt transfertës së Champions si pasojë e një dëmtimi, por duket se çdo gjë është lënë pas krahëve dhe ditën e sotme Benatia u stërvit në mënyrë të rregullt, duke mos shfaqur shqetësime.