Merkato te Besëlidhja është e kushtëzuar nga emërimi i trajnerit të ri, i cili do t pasojë Vladimir Gjonin e larguar në mbyllje të sezonit të kaluar. Gjatë muajit qershor kanë qarkulluar disa emra, për më i lakuari është shkodrani Elvis Plori. Shkodrani, ditë më parë, e pranoi se i kishin bërë ofertë.
Drejtori sportiv i Besëlidhjes, Kristi Memi, për SportEkspres.com deklaron se dy janë alternativat më serioze për lezhjanët. “Gjatë këtij muaji kemi qenë të fokusuar te gjetja e një trajneri të ri. Kemi kontaktuar disa, por jemi fokusuar te dy emra, Elvis Plori dhe Samuel Nikaj. Deri në fund të kësaj jave njeri prej tyre do jetë zyrtarisht trajneri i Besëlidhjes”, është shprehur Memi.
Ndërkohë, duke ditur se Samuel Nikaj është pranë nënshkrimit me Vllaznimin e Gjakovës në Kosovë, Elvis Plori duket më favorit. Gjithsesi duhet pritur zyrtarizimi, pasi shkodrani e ka thënë qartë se kërkon një skuadër konkurruese dhe në Lezhë kanë treguar në vitet e shkuara se mund ta bëjnë diçka të tillë.
AGRON KAJA