Futbolli njihet si një ndër sportet më të paguar dhe më fitimprurës. Lojtarët janë më të paguarit, por edhe trajnerët nuk mbeten prapa. Pikërisht për këta të fundit është bërë një renditje e pagave që përfitohen në katër kampionatet më të fortë evropian.
E nisim nga Spanja, ku është edhe më i paguari. Diego Simeone mban fronin, me argjentinasin që përfiton plot 3 milionë euro në muaj. Pas tij vjen Ernesto Valverde, i cili përfiton 2 milionë euro në muaj, ndërsa plotëson podiumin tekniku i Valencias, Garsia Toral me 500 mijë euro në muaj.
Për t’u përmendur është që Zinedin Zidan nuk është përfshirë në këtë renditje. Në Angli fronin e mban Pep Guardiola me 1.9 milionë euro në muaj, ndërsa befasia është vendi i dytë. As më shumë e as më pak se Mauricio Pelegrini. Trajneri i Uest Hemit përfiton 950 mijë euro në muaj.
Podiumin e plotëson Mauricio Poçetino me 800 mijë euro, ndërsa jashtë mbeten emra si Jurgen Klop, Sarri apo dhe Emeri. Në Itali në krye është Alegri me 1.14 milionë euro në muaj, ndërsa ndjek Ançeloti me 980 mijë euro dhe më pas Spaleti me 680 mijë.
Bundesliga është kampionati me pagat më të ulëta, teksa në krahasim me La Ligën ka një ndryshim drastik. Më i paguari është Niko Kovaç, me vetëm 580 mijë euro në muaj, ndërsa pas tij vijnë Lysien Favre me 500 mijë dhe Ralf Ragnik i Lajpcig me 400 mijë euro në muaj.