Dortmundi është një nga skuadrat më të mira në Europë për momentin, diçka që e tregojnë dhe statistikat. Të besuarit e Favre kanë shënuar të paktën nga 4 gola në 5 ndeshjet e fundi, duke mundur së fundmi edhe Atletikon e Madridit që nuk kishte pësuar asnjë disfatë në 8 takimet e fundit.
Pa diskutim që meritë për këtë formë të skuadrës ka e gjithë skuadra, por mbi të gjithë nuk ka se si të mos veçohet 18-vjeçari Xheidon Sanço, i cili jo vetëm që gradualisht po fiton një vend titullari tek Dortmundi, por arriti që të debutonte dhe me Kombëtaren angleze.
Sanço ishte protagonist edhe në sfidën ndaj spanjollëve, duke realizuar golin e parë, por dhe duke u bërë pjesë e historisë së Championsit. Ish-lojtari i Mançester Sitit u bë anglezi i dytë më i ri në historinë e Ligës së Kampioneve, që arrin të gjente rrugën e rrjetës.
I vetmi që ka shënuar në një moshë më të re se ai është Aleks Okslejd-Çambërlein, i cili ka shënuar që kur ishte vetëm 18 vjeç e 44 ditë. Sanço ka spikatur më së shumti për faktin se është një nuhatës i mirë për të shërbyer për shokët e skuadrës dhe deri më tani është rekordmen sa i përket asisteve të dhëna, ku deri më tani numëron 8 asiste dhe 3 gola në të gjitha garat me Dortmundin.