Tite rikthehet të flasë mbas eliminimit nga Botërori i Rusisë. Trajneri i Brazilit mbron Nejmarin dhe zbulon, se kush është lojtari më i mirë në botë për momentin.
“Nejmar meriton elozhe për sjelljen në fushë, disiplinën e treguar jashtë saj dhe për vullnetin e shfaqur për të kaluar dëmtimin, që e kushtëzoi. Për mua, ai është një nga tri lojtarët më të mirë në botë. Ai ka luajtur gjithmonë për ekipin dhe është sjellë në mënyrë inteligjente me trajnerin dhe shokët e tij. Mos të harrojmë që është 26 vjeç. Ai mund të përmirësohet akoma dhe është në rrugën e duhur për ta bërë diçka të tillë”, flet Tite për spanjollen “As”.
Trajneri zbulon dhe votën e tij për lojtarin më të mirë në botë. Ai ka votuar sipas radhës për: Modriç, Salah dhe Ronaldon.
“Zgjodha Modriç, sepse për mendimin tim, ai ka qenë lojtari më i mirë absolut i këtij viti. Për të dytin, isha në dyshim midis Hazard dhe Salah, por zgjodha egjiptianin. Ndoshta sepse isha akoma i zemëruar më Hazard për shkak të eliminimit. Pastaj vjen Kristiano Ronaldo. Megjithatë, sipas mendimit tim, duhej nominuar dhe Kurtua, sepse është një nga portierët më të mirë në qarkullim. Mjafton të shikoni se çfarë bëri kundër nesh.”
Dikush mund të habitet nga fakti se si ka mundësi që Tite e llogarit Nejmarin si një ndër tre lojtarët më të mirë në botë dhe nuk e ka votuar… E thjeshtë. Ylli i PSG nuk ishte pjesë e listës prej 10 lojtarëve më të mirë të “FIFA Awards”.