Tirana, thellohet borxhi me tifozët!

Kryeqytetit, por dhe Kategorisë Superiore, i kishte munguar shumë një derbi i tillë, flasim për atmosferën në stadium. “Selman Stërmasi” nuk mbahet mend se kur ka qenë i mbushur kaq shumë në një ndeshje kampionati, aq sa në fillimin e ndeshjes, në tribunën qendrore kishte shumë njerëz që ngjesheshin për të gjetur një cep, për të shijuar ndeshjen e munguar prej më shumë se një viti e gjysmë.

Me përjashtim të ndonjë momenti kur fjalori e kalonte limitin, por që në stadiumet tona është e pranueshme, ishte me të vërtetë një spektakël që duhej shijuar. Koreografi dhe shumë mesazhe, ngacmime dhe nderime, një mozaik fantastik, i cili pa diskutim ishte një pasqyrë për futbollin tonë, aq sa në momente të caktuara edhe ndeshja kaloi në plan të dytë.

Tirana ishte skuadra pritëse dhe normalisht që pjesa më e madhe e stadiumit ishte e veshur me ngjyrat bardheblu. Të gjitha biletat ishin shitur disa orë para ndeshjes. Tifozët i dhanë mundësinë klubit që të shlyente në një farë mënyrë gabimet (që të mos përdorim ndonjë fjalë më të ashpër) që janë bërë në të shkuarën e afërt. Plot 13 derbi pa fitore dhe zbritje nga Kategoria, më keq se kaq nuk ka, por fakti që stadiumi ishte mbushur plot tregon ata kishin besuar, për t’u rikthyer në stadium, gati për të falur gjithçka për një fitore. Kjo nuk ndodhi, përkundrazi, borxhi, këtë herë jo ai monetar u thellua.

Tifozët Tirana me shumë mundësi i ka humbur për këtë edicion, në derbin e ardhshëm ndoshta do të jenë aty, por jo kaq të shumtë, pasi krenaria është mbi gjithçka. Tirana e kishte mundësinë, por nuk e shfrytëzoi. Borxhi sa vjen e shtohet dhe duhet më shumë se një derbi tani për ta shlyer të shkuarën e errët. Tani janë 14 derbit pa fitore dhe plagët sa vijnë e shtohen.

Tifozët e Tiranës kishin besim tek skuadra e tyre, por në fund asgjë, pasi nuk ngroh as loja e treguar, ndonëse Ze Maria merret më shumë me goditjet e skuadrës kundërshtare, e cila në fund të fundit e gjeti golin, qoftë dhe me një gjysmë goditje. Tirana mund të bëjë autokritikë, por tifozët me shumë mundësi i ka humbur dhe një mozaik aq të bukur zor se do e shohim sërish këtë sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *